Presidenti i UFC, Dana White, një njeri shumë oportunist, së fundmi po harton një plan për të joshur ish-kampionin e botës të peshës së lehtë dhe promovuesin e Eagle FC, rusin Khabib Nurmagomedov. Ai kërkon ta rikthejë rusin e pamposhtur në kafaz, ndoshta si sportist por edhe si menaxher.

Pasi refuzoi të rikthehet në kafaz (29 fitore e 0 humbje për Khabib), rusi krijoi kompaninë e tij Eagle FC. “Kam kontaktuar me Khabib së fundmi për të parë nëse ai është i interesuar për diçka, por ai më tha se “jam në pension, vëlla. Unë kam mbaruar”. Ndaj, nuk mendoj se Khabib do të kthehet kurrë”, tha White për mediat.

Ishte diçka ndryshe. Unë po përpiqesha ta bëja atë të bënte edhe një ndeshje të fundit, por ai refuzoi, pasi më konfirmoi se është në pension dhe nuk dëshiron të duelojë më. Mendoj se kur babai i tij vdiq, ai krijoi një mburojë rreth vetes. Tani ai është i fokusuar vetëm në stërvitjen e djemve të tjerë dhe t’i ndihmojë ata të bëhen kampionë bote”, tha presidenti i UFC-së.