Në etapën e fundit të Ligës së Diamantit në atletikë zhvilluar në Bruksel (Belgjikë), atletja shqiptare Luiza Gega u klasifikua e shtata në garën e 3000 metrave me pengesa. Disiplinë, ku dy javë më parë shpallej kampione e Europës.

Gega dha kohën 9’14”41, larg kohës së atletes fituese nga Kenia (Chepkoech, 9’02”43), por gjithsesi mbetet koha më e mirë e një atleteje nga Europa. Cka konfirmon se në këtë disiplinë, ajo mbetet sportistja më e mirë në kontinentin e vjetër.

Para saj, në 6 vendet e para, u renditën vetëm atletet afrikane, që dihet se në këtë disiplinë janë mjaft të shpejta. Gjithsesi, paraqitja e atletes shqiptare ishte mjaft e mirë, duke kapur edhe normën për të marrë pjesë në botërorin e vitit të ardhshëm.