Ish-basketbollisti Ben Gordon, që ka luajtur në NBA me ekipet e Chicago, Detroit, Charlotte dhe Orlando, është arrestuar nga polcia e Nju Jorkut në aeroportin “La Guardia”. Arsyeja është se ai ka qëlluar me shpulla djalin e tij 10-vjeçar, teksa të dy ishin në pritje të udhëtimit me avion për në Chicago.

Pasi është sinjalizuar për ngjarjen e ndodhur në zonën e pritjes, policia aeroportuale ka arrestuar Ben Gordon, ndërsa djali i tij është transportuar në spital nga një i afërm i familjes. Ish-basketbollisti akuzohet edhe për rezistencë ndaj policisë në momentin e arrestimit, pasi nuk ka qenë dakord për akuzën.

Kjo nuk është hera e parë që Ben Gordon ka probleme me drejtësinë. Pesë vite më parë, ai aktivizoi alarmin anti-zjarr pa asnjë arsye, në spitalin ku ishte shtruar, pas një problemi shëndetësor. Ndërsa një vit më vonë u arrestua për vjedhje. Në një intervistë në vitin 2020, lojtari ka thënë se ka tentuar disa herë t’i jepte fund jetës.