Mjekët rekomandojnë që mos t’i hani ushqimet shumë shpejt. Këshilla e tyre është që të hani sa më shumë ngadalë dhe ta përtypni sa më mirë ushqimin. Nëse hani ushqim shpejt, atëherë copat e mëdha të ushqimit mund të shkaktojnë fryrje dhe probleme me tretjen.

Tretja e ushqimit fillon në gojë dhe kështu mënyra dhe shpejtësia me të cilën e përtypni ushqimin ndikon më tej në procesin e përpunimit të ushqimit në organizëm.

Sipas asaj që thonë dietologët, tretja nuk fillon nga zorrët, por në gojën tonë, prandaj duhet të siguroheni që të gjeni kohë dhe të shijoni ushqimin tuaj duke përtypur çdo kafshatë afërsisht 20 herë.

Trurit i duhet rreth 20 minuta për të regjistruar që stomaku është i ngopur e për këtë arsye rekomandohet konsumimi i ngadalshëm i ushqimit. Për më tepër, përfitimet e përtypjes më të ngadaltë përfshijnë: thithjen më të mirë të lëndëve ushqyese; tretje më të mirë; nivel më të ulët të stresit.