Imazhet e statujave dhe arkitekturës klasike të tatuazhuara në lëkurë si vepra arti. Ruben Jordan Langsted është një artist i talentuar tatuazhesh që krijon tatuazhe hiper-realiste dhe tredimensionale bardh e zi.

Langsted, me origjinë nga Norvegjia, punon në sallonin e tatuazheve Dropout Collective në Kopenhagë, Danimarkë dhe konsiderohet si një nga artistët më të mirë të tatuazheve në botë.

Artisti krijon imazhe të statujave dhe arkitekturës së epokës klasike, peizazhe dhe madje edhe portrete të personaliteteve të njohura me besnikëri të jashtëzakonshme ndaj detajeve.

Langsted përdor gjithashtu kiaroskuron për t’u dhënë subjekteve të tij një thellësi që duket pothuajse tredimensionale. Artisti i tatuazheve merr idenë e bukurisë klasike dhe riprodhon kanonet e saj estetike.

Me art klasik nënkuptojmë stilin që i referohet Greqisë së lashtë dhe Romës së lashtë, i fokusuar në konceptet e elegancës, harmonisë, përmasave.

Artisti i intervistuar nga mediat tha se vepra e tij e preferuar, e krijuar për një mik artist tatuazhesh, ka si subjekt statujën e një Pape me kryqe dhe varre në këmbë, ndërsa pas tij spikat në perspektivë një kube e madhe. “Mendoj se m’u deshën rreth 40 orë për t’u realizuar dhe është puna që zgjati më shumë ndonjëherë”, tha artisti.