Tenistja amerikane Serena Williams është eliminuar sot nga grand slam i US Open, duke i thënë kështu lamtumirë jo vetëm këtij turneu por edhe karrierës së saj legjendare. E konsideruar si një nga sportistet më të mëdha të të gjitha kohërave, Serena Williams u largua nga fusha mes lotëve, e duartrokitur nga të gjithë fansat.

Në raundin e tretë të këtij grand slam, ajo u mund 2-1 nga rivalja australiane Ajla Tomljanovic, pas 3 orësh lojë (7-6, 6-7, 6-1). “Dua të falënderoj babain tim, nënën time dhe cdo person që ka bërë të mundur që unë të jem këtu. Dua të falënderoj Venus. Pa Venus nuk do të kishte Serena”, u shpreh motra e vogël Williams, fituese e 23 grand slam në karrierë.

Në momentin që ajo largohej nga fusha, në sfond dëgjoheshin tingujt e këngës “simply the best” e Tina Turner. “Të ndërroj mendje? Nuk e besoj, por kurrë nuk i dihet në jetë”, tha më tej tenistja amerikane. Ajo është fituese e 73 turneve në karrierën e saj,4 medalje të arta olimpike, 319 javë në krye të renditjes botërore dhe gati 100 milionë dollarë të fituara.

Një teniste e konsideruar një aliene në këtë sport, e sigurt në fushë dhe që në 25 vite si profesioniste ka arritur dhe dhënë gjithcka. Në këto 20 vite, askush nuk ka mundur të bëjë më mirë se ajo, duke mposhtur të gjitha rivalet që i kanë përpara. Për këtë arsye, ajo meriton një vend në olimpin e sportit botëror, jo vetëm të tenisit.