Është shifra më e lartë e arritur ndonjëherë për një libër të autorit dhe përmban një mbishkrim të veçantë.

Libri “Emma” i Jane Austen u shit për 426 mijë euro, shuma më e lartë e arritur ndonjëherë për një vepër të autores. Botimi i parë i romanit, në tre vëllime, u ble nga një bibliofil amerikan në Peter Harrington, librari dhe galeri e librave të rrallë në Londër.

Pronari donte që vepra të mbetej në Britaninë e Madhe dhe libri u depozitua në Chawton House, Hampshire, ish-shtëpia e Edward Austen, vëllai i Jane dhe tani një qendër e njohur kulturore.

Libri u bashkua në shtëpi për shkak të lidhjes së Jane me vëllanë e saj dhe me Anne Sharp, kujdestaren e fëmijëve të Eduardit dhe këshilltaren e shkrimtares për veprat e saj. Chawton House gjithashtu strehon një bibliotekë të gjerë publike kushtuar shkrimtareve të hershme femra.

Miqësia e Jane Austen me Anne Sharp

“Blerësi i librit ka shprehur dëshirën që vepra të mbetet në Britaninë e Madhe”, tha Pom Harringhton, pronar i librarisë historike në Londër.

“Menjëherë menduam për Chawton House, ku Jane jetoi tetë vitet e fundit të jetës së saj. Anne Sharp ishte gjithashtu ndër mikeshat e ngushta të cilave Austen ua dorëzoi romanet e saj për vlerësime, mendime dhe sugjerime”.

Kopja e botimit të parë të romanit është e vetmja që ka një mbishkrim me stilolaps në një nga faqet e para. Me kërkesën e Austen, botuesi i saj shkroi mbi librin “Nga autori” dhe ia dërgoi shoqes së saj të dashur Anne Sharp.

“Ne jemi të kënaqur që një vepër kaq e rëndësishme e Jane Austen do të zërë vendin e saj midis thesareve letrare të koleksionit tonë”, tha Katie Childs, drejtoreshë menaxhuese e Chawton House.