Aktorja e madhe shqiptare, Nderi i Kombit, Tinka Kurti feston sot ditëlindjen e saj. Artistja e madhe ka lindur në Sarajevë më 17 dhjetor të vitit 1932 dhe mbush sot plot 90 vjeçe. Megjithese origjina e saj është boshnjake, dikur në një intervistë ajo ka thënë se “është aktore e Shkodrës”. Arsimin bazë 7-vjeçar ajo e mori në Sarajevë dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në kryeqytetin shqiptar  ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.

Tinka Kurti, në intervistat e dhëna për media të ndryshme ka deklaruar se është regjistruar rastësisht për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe, por është përjashtuar nga shkolla me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale”. Ishte regjisori Andrea Skanjeti ai që ka pikasur talentin e saj të madh për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”.

Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi, në filma të ndryshëm shqiptarë si: Vajzat me kordele të kuqe, Gjeneral Gramafoni, Hije që mbeten pas, Në emër të Lirisë, Çifti i Lumtur, Yjet e Netëve të Gjata e shumë të tjera.

Në 1994 Tinka Kurti hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.

Gjithashtu për karrierën e saj të gjatë artistike Tinka është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhrin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike si dhe me titullin “Nderi i Kombit”.