Artisti i Merituar, aktori i madh shqiptar dhe pedagogu i Universitetit të Arteve, Viktor Zhusti feston sot ditëlindjen e tij të 80-të! Ai ka lindur më 8 dhjetor të vitit 1942 në kryeqytetin grek, në Athinë. Viktori është një nga aktorët më të mirë që ka prodhuar kinematografia shqiptare, teksa numëron me qindra role në filma dhe teatër.

Galeria e roleve të Viktor Zhustit është shumë e pasur, teksa që pasi mbaroi shkollën e lartë për aktor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në 1963, ai nisi punën në Estradën e Gjirokastrës, e më pas në teatrin e qytetit të gurtë. Ai u bë një nga aktorët më të kërkuar të kohës, gjatë viteve kur lulëzonte veprimtaria në Kinostudio “Shqipëria e Re”.

Viktor Zhusti ka pasur role kryesore në disa filma e shfaqje teatrale. Roli i tij i parë si aktor në një film shqiptar ka qenë pikërisht ai i Mark Dedinës, në filmin “Komisari i Dritës” në vitin 1966, ndërsa më pas ka luajtur në filma të tjerë si “Malet me Blerim Mbuluar”, si Jaho Cani; “Gëzhoja e vjetër”, si Pandi: “Kur xhirohej një film”, si Kujtimi; “Taulanti kërkon një motër”, si babai i Taulantit; “Dhe vjen një ditë” si Llano e shumë filma të tjerë.

Aktori i madh ka pasur edhe disa role në teatër, ku më i fundit ishte ai i Mbretit Lir, veprës së shkruar nga shkrimtari William Shakespeare. Shumë vite më parë, Zhusti vendosi të largohej nga Shqipëria, drejt Greqisë në vitin 1991. Në vitin 1998 u arrestua dhe u dënua me 18 vite burg për shkak se u kap me 11 kilogramë heroinë. Megjithatë, ai vuajti vetëm 4 vite burg “Vuajta mendjelehtësinë time”, – u shpreh Viktor Zhusti në një intervistë të disa viteve më parë.