Mes kandidatëve për t’u zgjedhur në Këshillin Kombëtar të PD ra në sy ai i këngëtares Bleona Qerreti. Vajza e ekranit, që jeton mes SHBA dhe Shqipërisë, ka qenë rregullisht pjesë e fushatave të demokratëve në të shkuarën, deri më 2013, e afishuar qartë pranë kësaj force politike.

Sikurse duket, duke ditur këtë qasje, emri i saj është përfshirë në garë për t’u zgjedhur në organin e lartë vendimmarrës të demokratëve. Por kjo ka rezultuar surprizë edhe për vetë Qerretin, e cila shumë shpejt u bë “meme” në rrjetet sociale.

Këngëtarja ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke zgjedhur mes dy të mirave! Në anglisht, Qerreti shkruan se është qytetare amerikane dhe do të pranonte të punonte vetëm për një qeveri amerikane. Propozuesit e emrit të saj te demokratët kanë mbetur të zhgënjyer nga refuzimi i saj:

“Ndërsa kam lindur në Shqipëri, jam një qytetare amerikane! Unë e dua Shqipërinë, por besnikëria ime është ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit tim! Nëse do të punoja ndonjëherë për një qeveri, do të punoja vetëm për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”

Duket qartë se Bleona e ka rritur pjacën tashmë, ka kaluar ylberin… Nëse deri më 2013 këndonte në koncertet-fushatë të liderit historik të demokratëve rreth më rreth, në zgjedhjet e fundit presidenciale të SHBA ajo doli hapur në mbështetje të Donald Trump.

Doli huq si palë fituese, por ndoshta do të provojë sërish me homologët e PD në Amerikë, konservatorët republikanë. Shqipëria duket një “kostum i ngushtë” për të. Nëse dikur bëri bujë kënga e saj me titullin provokues “Ti nuk di as me ma lyp”, kësaj here për demokratët kjo ngjan si “Ti nuk di as të refuzosh”!!!