Instituti GAP ka publikuar një grafik më të dhëna, ku shihet se një familjeje me pesë anëtarë sot i duhen 774 euro për t’i blerë produktet që kushtonin 670 euro një vit e gjysmë më parë.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore vazhdon të ndodhë çdo ditë në Kosovë. Instituti GAP ka publikuar një grafik për rritjen e kostos së jetesës që nga janari i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022.

Sipas grafikut një familjeje me pesë anëtarë sot i duhet 774 euro për t’i blerë produktet që blinte me 670 euro një vit e gjysmë më parë.

Grafiku në fjalë paraqet ndryshimin në koston për blerjen e shportës me produktet dhe shërbime të njëjta për një familje pesë anëtarëshe si rrjedhojë e rritjes së çmimeve në Kosovë.

Pra kostoja e jetesës së një familjeje kosovare është rritur për rreth 15 për qind që nga janari i vitit 2021.

Grafika është bërë bazuar në një anketë për buxhetin e ekonomive familjare për shpenzimet mesatare mujore, ndërsa çmimet janë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Po ashtu çmimi i produkteve ushqimore ka pësuar rritje në ditët e para të këtij muaji.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës lëvizja e çmimeve është vërejtur tek qumështi, djathi, jogurti, patatet e kafeja. Po ashtu, këto ditë janë shtrenjtuar edhe nafta e benzina.

“Jogurt – Mu, 1 litër tashmë është duke u shitur më 1,18 centë, derisa ditë më parë ishte 1,15.  Djathë – Rugove, 800 gr aktualisht kushton 5,64 euro, kurse ditë më parë ishte 5,61 euro. Vezë – Konson, 30 copë janë duke u shitur më 4,09 euro. Kurse, patatja e re, 1 kg, kushton 0,58 euro, ditë më parë ishte 0,51 euro.  Benzina, 1 litër është duke u shitur më 1,56, ditë më parë ishte 1,55. Nafta 1 litër është duke u shitur më 1,72, kurse ditë më parë ishte 1,71”, ka treguar ASK në raportin ditor të çmimeve.

Kujtojmë se inflacioni në Kosovë ka arritur në mbi 14%, dhe kjo është rritja me e madhe që nga paslufta.

Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet. Agjencia e Statistikave ka treguar se vetëm në qershor çmimet janë rritur për 1,4 për qind, shkruan Monitor.